
Një delegacion i UEFA-s ka mbërritur këtë të hënë në kryeqytet ku do të monitorojë procesin zgjedhor për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në përbërje të këtij delegacioni janë Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve).
Me të mbërritur në Tiranë ata janë ndalur në selinë e FSHF-së ku janë njohur me zhvillimet e fundit dhe kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore në shoqatat rajonale. Pasi të njihet me të gjitha problematikat, pretendimet e palëve dhe të shqyrtojë dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni monitorues i UEFA -s do të përgatisë një raport të detajuar që do të t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, Kryeministrit Edi Rama si edhe FSHF-së.
Zgjedhjet për kreun e FSHF do të mbahen më 2 mars, ku kandidatë do të jenë Armand Duka, Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova. (A2 Televizion)