
Qeveria e Londrës mbron ujdinë e negociuar nga Boris Johnson për Brexit, pas kritikave të presidentit amerikan. Gjatë një interviste telefonike për Nigel Farage, në radion LBC, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se marrëveshja pamundësonte nënshkrimin e një ujdie tregtare mes Uashingtonit dhe Londrës.
“Ne e duam një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe dhe ata e duan një të tillë gjithashtu. Por ujdia e Brexit, në njëfarë mënyre na pengon. Është për të ardhur keq pasi ne mund të arrinim shifra shumë më të larta se ato aktuale, dhe pa dyshim më të larta se ato mes Britanisë dhe Bashkimit Europian”, tha presidenti Trump.
Downing Street iu përgjigj presidentit amerikan përmes një zëdhënësi. “Sipas ujdisë së re, i gjithë vendi do të shkëputet nga unioni doganor europian. Kjo nënkupton se ne mund të nënshkruajmë marrëveshje për tregtinë e lirë në të gjithë botën, nga të cilat çdo pjesë e Britanisë së Madhe do të përfitonte”
Trump nuk u përmbajt dot as nga deklaratat lidhur më fushatën britanike, e cila ende nuk ka nisur zyrtarisht. Ai tha se lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn do të ishte tepër i dëmshëm për vendin. Ky pohim shtyu opozitarin të akuzonte Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhje.
Britania voton më 12 dhjetor pas një shtyrje tjetër të afatit të Brexit, deri në 31 janar të 2020-s. Johnson shpreson të sigurojë shumicën e nevojshme në parlament, në mënyrë që të përmbushë premtimin e tij për Brexit. Ndërsa Corbyn ka premtuar një referendum të dytë nëse fiton zgjedhjet. Sondazhet favorizojnë Partinë Konservatore të kryeministrit Johnson. (A2 Televizion)