
Ilir Kalemaj, i ftuar në studion e “Absolut 4” me Blendi Salajn, në A2 CNN, deklaroi se universitetet shqiptare duhet “të profilizohen dhe të rajonalizohen”.
“Ne jo vetëm që kemi universitet në çdo qytet, por edhe çdo universitet ofron çdo gjë: nga bujqësia te shkencat juridike. Ne nuk i kemi këto kapacitete. Universitetet duhet të profilizohen dhe të rajonalizohen. Për shembull, Elbasani ka traditë pedagogjike dhe do të ishte mirë që të vazhdonte kjo traditë”, u shpreh Kalemaj.
Sipas tij, problemi ynë me arsimin është që shpenzojmë pak dhe jo zgjuar.
“Kemi rënie drastike të numrit të të rinjve, rrjedhimisht edhe rënie të numrit të studentëve. Jemi vend me moshë mesatare të vjetër tashmë, ka zona të ndryshme të vendit që janë të mbushur me të moshuar. Në lidhje me kostot në arsim, problemi është që shpenzojmë pak dhe jo zgjuar. Ose do të kemi filozofi masivizimi dhe konkurrence, ose të centralizuar, me paratë që vijnë nga shteti. Ne as nuk kemi lekë, as biznese që financojnë arsimin dhe kështu ngelemi në këtë derexhe që jemi. Rezultati do të shihet më tepër nesër, sesa sot”, u shpreh Kalemaj. (A2 Televizion)