Ura e Madhe në Kukës "izolon" qytetin, kundërshtohet projekti

Nga A2 CNN
15 Qershor 2021, 18:31 | Aktualitet

Projekti i urës së re mbi lumin Drin i Zi në hyrje të qytetit të Kukësit si pjesë e rrugës së Kombit, ka ngritur shqetësimin e banorëve të Kukësit, shoqërisë civile, biznesit dhe madje edhe vetë bashkisë së qytetit.

Projekti parashikon shmangien e hyrjes në Kukës nëpërmjet urës ekzistuese, dhe ndërtimin e një rrethrrotullimi të madh në Gostile duke e orientuar trafikun drejt qendrës së qytetit.

Drejtuesi i Qendrës për progres rinor, Rifat Demalija, kërkon reagimin e qytetarëve  dhe pushtetit lokal, pasi ky projekt do të sjellë pamundësimin e jetesës në këtë qytet.

Projekti i urës

“Nëse trau na vështirëson jetën në Kukës, ky na detyron të gjejmë një rrugë dhe të largohemi nga qyteti”, thotë ai. Por ky projekt ka ngjallur edhe reagimin e komunitetit të biznesit në Kukës.

“Çdolloj infrastrukture duhet të lehtësojë komunikimin, por ky projekt e vështirëson atë. Do të jetë një kaos në trafik sepse e gjithë trafiku për Has dhe Tropojë duhet të kaloj përmes qytetit, në një rrugë plot trafik si rruga e pazarit”, thotë Sokol Kolgjini i “Biznesi për Biznesin”.  

Edhe bashkia e Kukësit është në të njëjtën linje shqetësimi me banorët dhe grupet e interesit të qytetit verior. “Është problematikë e vërtetë. Duhet te kemi patjetër një bypass për të aksesuar Kukësin, kemi diskutuar me koncesionarët dhe i kemi shkruar institucioneve”, thotë kryebashkiaku Safet Gjici.  

Tanimë pritet që shqetësimet e grupeve të interesit në Kukës të marrin një përgjigje nga ministria e linjës në lidhje me projektin që ka shqetësuar të gjithë qytetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos