Ushtaraku grek, vrasësi i parë serial në Qipro

Nga A2 CNN
27 Prill 2019, 18:34 | Bota

Policia qipriote është ende në kërkim të trupit të një gjashtëvjeçareje, pasi njeriu që dyshohej se i ka marrë jetën rrëfeu krimin, por edhe pesë të tjerë, duke u etiketuar nga mediat vendase si i pari vrasës serial në ishullin mesdhetar.

Ai është një ushtarak grek, 35 vjeç, të cilin vendasit e kanë quajtur Nicos Metexas. Ishte vetë kapiteni i ushtrisë greke i cili i tregoi hetuesve ku e kishte hedhur trupin e vogëlushes, në një pus pranë kazermës ushtarake në periferi të Nikosias. Përveç njërës, të gjitha viktimat janë aziatike, të cilat Metaxas i takonte pasi njihej më parë me to online.

Hetimet të zhvilluara edhe me ndihmën e policisë britanike nisën më 14 prill, pasi trupi i Mary Rose Tiburcio, një 38-vjeçare nga Filipinet, u gjet i pajetë në një minierë të braktisur. Tiburcio dhe vajza e saj gjashtëvjeçare ishin shpallur të humbura që prej majit të vitit të kaluar.

Pasi arritën të futeshin në mesazhet online të viktimës, hetuesit arrestuan ushtarakun. i marrë në pyetje nga autoritetet, Metaxas tregoi edhe vendet ku kishte hedhur trupat e viktimave të tjera, që ishin nga Filipinet, India dhe Nepali. Gjithashtu kapiteni grek pranoi edhe vrasjen e një tjetër gruaje 360-vjeçare, dhe vajzës së saj 8-vjeçare, të cilat ishin shpallur të humbura prej shtatorit 2016.

Pas publikimit të lajmit makabër, qindra qipriotë dolën në një tubim paqësor në Nikosia të premten, duke ndezur qirinj për viktimat dhe duke i kërkuar autoriteteve që të hetonin me më shumë zell vrasjen dhe zhdukjet e emigrantëve, duke u nisur nga fakti që të gjitha viktimat bënin punë të dorës së dytë në ishullin turistik.

Për ngjarjen reagoi edhe Presidenti i vendit, Nicos Anastasiades, i cili mbështeti revoltën publike për vrasjet që edhe sipas tij kishin në shënjestër femra emigrante që punonin në Qipro.

Policia vendase shpesh është kritikuar për mungesën e përkushtimit në trajtimin e rasteve të zhdukjeve të personave të huaj, ku që prej vitit 1990 janë mbi 80 raste të pazbardhura. Shefi i Policisë, Zacharias Chrysostomou, tha se ka ngritur një panel për të kontrolluar dhe vlerësuar nëse hetuesit vendas kanë kryer me korrektësi punën e tyre në rastet e viktimave të Metaxas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos