Ushtria pranë Kosovës, ministri: Jemi këtu që të mos presim serbët me batanije e sanduiçe

Nga A2 CNN
29 Maj 2023, 15:49 | Kosova
Ushtria pranë Kosovës, ministri: Jemi këtu që të mos

Ushtria serbe ka përfunduar dislokimin pranë kufirit me Kosovën. Këtë e njofton ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, bashkë me konfirmimin se trupat do të vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie të lartë luftarake. Ai nënvizoi se këto lëvizje erdhën pas urdhrit të lëshuar nga presidenti, Aleksandër Vuçiç, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Beogradi shpreson për zgjidhje politike, por kërcënon se është gati për gjithçka, madje edhe për luftë.

“Ushtria serbe nuk është në krye të dialogut politik, por mbron sovranitetin. Ne nuk vlerësojmë se çfarë mund të bëjë ushtria në ndonjë proces imagjinar, por i vendosëm vetes çdo detyrë që mund të kryejmë në kuadrin e sovranitetit të shtetit tonë. Presim që kjo të zgjidhet politikisht. Pse është ngritur gatishmëria luftarake? Që të mos i presim serbët në Jarinje me batanije, ujë e sanduiçe, por ata duhet ta dinë se ka vija të kuqe”, tha Vuçeviç.

Ministri i Mbrojtjes pati kritika të forta për Bashkimin Europian dhe misionin e KFOR-it në Kosovë duke pretenduar se po mbrojnë vetëm forcat speciale dhe policinë e Kosovës. Në të njëjtën linjë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç.

“Unë nuk kam asnjë fjalë të mirë për partnerët tanë të BE-së apo partnerët tanë të KFOR-it. Reagimi i tyre ishte i vonuar, ata duhet të ishin atje të premten, ashtu siç janë sot. Mandati i tyre në bazë të rezolutës 12 44 të OKB-së është për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin dhe mbi të gjitha njerëzit. Sot nuk mbrojnë njerëzit, nuk mbrojnë demokracinë, nuk mbrojnë institucionet, ata janë atje sot për të mbrojtur uzurpatorin, nga demokracia dhe qytetarët e thjeshtë”, tha Bërnabiç.

Ndërkohë, më herët, edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, kritikoi KFOR-in për reagimin në veri dhe theksoi se në zonat me shumicë serbe nuk mund të ketë kryetarë shqiptarë. Ndërsa, Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se i druhej destabilitetit dhe një konflikti të madh në veriun e Kosovës. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/29/tensione-ne-veri-pershkallezon-situata-ne-zvecan-sulmohen-edhe-gazetaret/
https://a2news.com/2023/05/29/serbet-nuk-mund-te-durojne-me-vucic-kam-frike-nga-konfliktet-e-medha-kurti-enderron-te-jete-zelensky/

A2 CNN Livestream

Latest Videos