
Në një kohë që fryma e largimit vijon të ushqejë shumë shqiptarë, Tom Margjini e përmend plot krenari faktin që të gjithë fëmijët i ka ende këtu. Trashëgimia është një histori që duhet të tregohet vazhdimisht, nëse do të hapësh një kapitull të ri beson ai.
“E ka nisur gjyshi. Të gjithë brezat e tjerë marangozë. Unë e kam mbajt me fëmijët e mi. Është zanat që pa bukë nuk të lë. që 5 vjeç fëmijët janë ushqyer me këtë zanat”, thotë ai për A2 CNN.
Jetmiri është njëri nga tre djemtë që ka trashëguar zanatin e marangozit. “Unë kam lindur me këtë zanat sepse është biznesi jonë që punojmë të gjithë së bashku”, thotë ai.
Gentjani, më i madhi ndër tre vëllezërit i zhvilloi edhe më tej dijet e marra nga babai, duke i kombinuar ato me mësimet në universitet për të qenë sot një inxhinier projektues. Prej një dekade ai ka marrë në dorë drejtimin e biznesit familjar që siç ai thotë, po përjeton ndoshta ditët më të mira. “Ka një “bum” të madh që hera-herës nuk arrijmë ta kuptojmë, pasi ne dëgjojmë se shumë njerëz po largohen dhe këtë edhe mund ta konfirmojmë se kemi mungesë të fuqisë punëtore. Sot nuk po vuajmë më për punë, por ta bëjmë punën”.
“Ne na duhen të paktën 10 punëtorë që të mund të kapim ritmin e punës. Për specialistë bëhet edhe më e vështirë, por të paktën të kemi ndihmës”, thotë Jetmiri, i cili punon si inxhinier projektues.
Rritja e çmimeve ndërkohë ka përfshirë edhe këtë sektor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar inflacioni te kjo kategori produktesh ishte i lartë. Nga energjia, tek transporti, druri dhe pagat, kosto të gjitha që janë reflektuar në çmimin final. “Duke u bazuar te shtrenjtimi i lëndës së parë, ne duhet t’i kishim dyfishuar çmimet. Kemi zgjedhur t’i rrisim me rreth 35 deri në 40 për qind. Një kënda që ka kushtuar 60 mijë lekë dhe i kemi çuar në 90 apo 95 mijë lekë”, thotë Jetmiri.
Përpunimi i drurit dhe arredimit janë ndër sektorët me rritjen më të madhe vitet e fundit, duke zgjeruar vit pas viti edhe eksporte cilësore drejt tregjeve europiane. Por ky potencial i madh po kërcënohet dita ditës nga mungesa e fuqisë punëtore. (A2 Televizion)