
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se Presidenti po kërkon të bllokojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e tij në Parlament, gjatë seancës ku pritet të votohet për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që duhet të zgjidhen nga Kuvendi, Manja tha se interpretimi i normës kushtetuese nga ane e juristëve të Presidencës është i gabuar.
“E supozojmë që do të zbatojmë radhën. Të parin e ka dekretuar Presidenti, të dytin po e votojmë ne sot. Por radha nuk i shkon Presidentit sipas nenit 179/2 të Kushtetutës, radhën e ka Gjykata e Lartë, të cilën nuk e kemi funksionale. Çfarë do të bëjmë sipas Presidentit, do të bllokojmë Gjykatën Kushtetuese edhe një vit tjetër? Ja pra që arsyetimi i Presidentit është dashakeq, me këtë mënyrë interpretimi të normës kushtetuese synohet as më shumë e as më pak të bëhet bllokimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Manja.
Ai i bëri thirrje deputetëve që të votojnë dy kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin. Në listën e dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është edhe Arta Vorpsi, por Kuvendi e konsideron të emëruar atë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti. (A2 Televizion)