
Një vaksinë kundër Covid-19 mund të jetë e disponueshme në Shtetet e Bashkuara që në fillim të dhjetorit, nëse ajo do të provohet e sigurt dhe efikase.
Këtë e tha eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, i cili megjithatë sqaroi se do të duhen disa muaj të tjerë para nisjes së vaksinimit në masë.
“Mendoj se do të mësojmë nëse një vaksinë është e sigurt dhe efikase në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit. Pyetja është, pasi e kemi një ose më shumë vaksina të sigurta, si do t'i çojmë te njerëzit që kanë nevojë sa më shpejt të jetë e mundur. Sasia e dozave që do të jenë të disponueshme në dhjetor nuk do të jetë e mjaftueshme. Do të kenë prioritet stafi mjekësor apo ata që gjenden në kategorinë e personave më të riskuar. Të tjerë do të duhet të presin disa muaj të tjerë në 2021-shin”, u shpreh ai.
Fauci iu përgjigj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump në debatin e fundit presidencial se një vaksinë do të ishte e disponueshme në fund të vitit. Pjesëtari i Taks Forcës kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë shton se vaksina nuk do të zëvendësojë nevojën e respektimit të masave që janë në fuqi për të mbrojtur qytetarët nga virusi, për një kohë të caktuar. (A2 Televizion)