
Epidemiologu Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, deklaroi se duhet punuar më shumë drejt komunikimit, në lidhje me vaksinat.
“Duhet punuar më shumë drejt komunikimit, duhet kuptuar pse disa njerëz nuk vaksinohen. Duhen pyetur dhe më pas duhet parë mënyra se si të binden”, deklaroi Alimehmeti.
Sipas tij, duhet një siguri shumë e fortë për të nisur vaksinimin e shtetasve +12 vjeç.
“Fëmijët nuk e vuajnë rëndë sëmundjen, humbjet e jetës mes tyre janë minimale, mbijetueshmëria natyrore ndaj virusit është 99,995%, sipas autoriteteve shëndetësore britanike. Nga krahu tjetër, transmetueshmëria e virusit Covid-19 nga fëmija te i rrituri është më e ulët sesa nga i rrituri te i rrituri. Pastaj, nëse ne jemi të vaksinuar, jemi të mbrojtur edhe në rastin e kalimit të virusit nga fëmija te ne. Gjithashtu, është ndryshe të thuash risk afatgjatë kur flet me një 70-vjeçar dhe ndryshe me një 17-vjeçar. Duhet një siguri shumë më të fortë, për vetë faktin se të miturit nuk rrezikohen tepër. Nuk ka nevojë për një ngutje kaq të madhe për këtë grupmoshë”, deklaroi Alimehmeti.
“Sa i përket pasaportës së vaksinimit, kjo bëhet për të eliminuar transmetueshmërinë te tjetri, por ne e dimë fare mirë se kjo është siguri e rreme. Edhe pse pak, infektimet ndodhin edhe nëse je vaksinuar. Nga ana tjetër, pasaportën e merr edhe me anë të testit PCR. Në shtetet evropiane, “green pass” nuk ka pasur vlerë. Vaksina duhet bërë, sidomos nëse nuk e ke kaluar, grumbullimet e mëdha është mirë të evitohen… kjo është metoda e duhur e komunikimit, jo vetëm pasaporta jeshile, që do të ushqejë një treg informal prodhimi pasaportash. Virusi nuk bllokohet me një copë letër, por me ndërgjegjësim”, shtoi Alimehmeti. (A2 Televizion)