
Raporti për Kosovën është diskutuar në Parlamentin Europian. Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, përshëndeti përmbylljen e procesit për liberalizimin e vizave, progresin e bërë në dialogun Prishtinë-Beograd me pranimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksit të zbatimit.
Lidhur me asociacionin, zyrtari i Bashkimit Europian përmendi detyrimin që ka Kosova për formimin e tij për shkak të marrëveshjeve të kaluara.
“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe. Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi i posaçëm për dialog, drafti i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi Menaxhues, është pikënisje për diskutimet e mëtejshme për themelimin e Asociacionit.”
Varhelyi nënvizoi se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Europian. Eurokomisioneri mori pjesë gjithashtu edhe në diskutimet për raportin e Serbisë në Parlamentin Europian.
Zyrtari tha se mospërshtatja e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së, lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, përbën një çështje serioze. Varhelyi më tej shtoi se Serbia deri tani ka hapur 22 prej 35 kapitujve në negociatat e anëtarësimit, ndërsa njoftoi se Komisioni Europian është gati të hapë një bllok të tërë me kapituj të tjerë.
Kritika pati sa i përket lirisë së medias, por pa përmendur drejtpërdrejtë hapësirën që Beogradi u ka dhënë mediave ruse që përhapin dezinformata jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për mbarë Europën. (A2 Televizion)