Varhelyi i zhgënjyer me zgjerimin, Sofja: Negociatat pasi RMV të përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 16:28 | Aktualitet
Varhelyi i zhgënjyer me zgjerimin, Sofja: Negociatat pasi RMV të

Hendeku social dhe ekonomik mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mungesa e reformave institucionale përbëjnë sfidat kryesore për integrimin e rajonit në bllok.

Këtë e tha komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi, gjatë forumit ‘BE takohet me Ballkanin” në sofje të Bullgarisë. Ai tha se nëse vendet që aspirojnë t’i bashkohen BE-së do t’i japin shtysë reformave socio-ekonomike, duke fuqizuar po ashtu sundimin e ligjit dhe parimet demokratike, Bashkimi Europian nuk do të shpërfillte dot progresin e tyre.

“Nëse do të kishte progres në terren, pra nëse reformat do të avanconin, pa u dashur të bëjmë thirrje gjatë gjithë kohës për përmbushjen e tyre, nëse do të ishin mjaftueshëm të dukshme, qoftë sundimi i ligjit, parimet demokratike, qoftë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar po reformat ekonomike dhe sociale, Bashkimi Europian nuk do të ishte në gjendje t’i injoronte”, tha komisioneri Varheley.

I frustruar dhe zhgënjyer për mungesën e progresit në negociatat aktuale të zgjerimit, Varhelyi u shpreh:” Nuk mund ta fsheh faktin që jam jashtëzakonisht i zhgënjyer që ne ende po diskutojmë për këtë çështje, të cilën menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë, por që tani është kthyer përsëri në tryezë. Pra, ju e dini, nëse keni fuqitë dhe ju nuk i përdorni ato, kjo mund të konsiderohet nga të tjerët si kapitullimi fuqive dhe aftësive, Duhet të besojmë tek vetja dhe fuqitë tona dhe mendoj se të gjitha shtetet anëtare duhet të besojnë tek natyra transformuese e procesit të aderimit”.

Sakaq, presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola kërkoi që të caktohet një datë lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Por deklarata e ministres së jashtme bullgare për gazetarët në forum sugjeroi se vendi i saj nuk është gati të heqë veton që po mban peng të dyja vendet. Ajo tha se që përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë është një kusht që duhet përmbushur përpara se vendi të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos