
Varianti i ri i koronavirusit në Britaninë e Madhe ka alarmuar Bashkimin Europian, i cili do të diskutojë më vonë mbi një përgjigje të koordinuar. Një sërë shtetesh, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Holandën kanë ndaluar fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar.
Po ashtu, janë pezulluar shërbimet e trenave përmes Kanalit Anglez. Ekspertë të shëndetësisë thanë se varianti i ri i koronavirusit është 70 për qind më i transmetueshëm, megjithatë nuk ka prova që të jetë më vdekjeprurës. Gjithashtu, nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se ai vepron ndryshe ndaj vaksinave. Ministri i Shëndetësisë, Matt Hanckock, tha se varianti i ri kishte dalë jashtë kontrollit, ndërsa Danimarka, Italia dhe Holanda njoftuan se kishin evidentuar raste të tij.
“Varianti i ri është jashtë kontrollit dhe duhet ta frenojmë përhapjen e tij. Lajmi për këtë variant të ri e mbyll në mënyrë tejet të vështirë këtë vit të tmerrshëm”, deklaroi Hanckock.
Shpejtësia me të cilën qeveritë njoftuan masën e ndalimit të fluturimeve nga Britania e Madhe tregon një nivel të lartë alarmi. Holanda ishte e para që mori një vendim të tillë, i cili, siç tha, do të qëndronte në fuqi të paktën deri në 1 janar.
Franca pezulloi të gjitha lidhjet rrugore, detare, e ajrore me Britaninë e Madhe, nga mesnata e së dielës. Mijëra kamionë lëvizin mes vendeve çdo ditë. Irlanda, e cila gjithashtu ka një trafik të rëndësishëm me Mbretërinë e Bashkuar në këtë kohë të vitit, qeveria njoftoi se fluturimet do të ndaloheshin për të paktën 48 orë. Boris Johnson pritet të mbledhë kabinetin në një takim të jashtëzakonshëm gjatë ditës. (A2 Televizion)