Debate në Komisionin e Sigurisë për vdekjen e Lear Kurtit. Rrumbullaku: I gatshëm të jap shpjegime brenda 48 orëve edhe për Klodian Rashën

Nga A2 CNN
25 Tetor 2022, 11:00 | Politikë
Debate në Komisionin e Sigurisë për vdekjen e Lear Kurtit.

Është zhvilluar me debate seanca në Komisionin e Sigurisë. Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri, ka kërkuar shpjegime në lidhje me situatën kriminale në vend pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti. Në përgjigje të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, tha se është i gatshëm të japë shpjegime brenda 48 orëve, por sot është thirrur për një çështje tjetër.

“Më 13 shtator, kemi kërkuar thirrjen e Ministrit të Brendshëm për situatën e rëndë kriminale në vend. Një muaj më vonë, situata është edhe me e keqe. Kemi një polici që nuk mbron qytetarin, por një polici që i merr jetën qytetarit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të japë llogari. KSHH ka thënë që policia ka bërë shkelje. Policia i merr jetën qytetarit, se kemi një kryeministër që ka vrarë protestën. Nuk kemi polici të shtetit, por polici të pushtetit. Nuk mund të vazhdojë kjo mbledhje pa dhënë llogari për vdekjen e Lear Kurtit. Pse keni frikë të jepni shpjegime”, tha Xhaferri.

Por Rrumbullkau tha se është i gatshëm të japë shpjegime brenda 48 orëve për Lear Kurtin dhe Klodian Rashën.

“Sot jam thirrur për një agjendë të caktuar. Nuk jam përgjigjur se kam pasur angazhim jashtë shtetit. Për çështjen e të ndjerit Lear Kurti jam i gatshëm të jap shpjegimet e duhura brenda 48 orëve për Lear Kurtin, si edhe për Klodian Rashën, pasi kam qenë drejtues i AMP”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos