Vendimi i KLGJ: Më 27 prill rifillon puna në të gjitha gjykatat

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 19:36 | Aktualitet
Vendimi i KLGJ: Më 27 prill rifillon puna në të gjitha gjykatat

Më 27 prill pritet të rinisë puna në të gjitha gjykatat e vendit. Vendimi u mor në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), e cila u zhvillua “online” përmes platformës “Microsoft Team”.

Pas më shumë se një orë diskutimesh, Këshilli vendosi t’i japë dritë jeshile zhvillimit të proceseve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit, të ndërprera prej datës 10 mars për shkak të pandemisë COVID-19.

Në të njëjtin vendim, KLGJ vendosi që proceset gjyqësore do të zhvillohen në përputhje me aktin normativ për marrjen e masave në fushën e veprimtarisë gjyqësore. Ky akt përcakton edhe masat që duhet të merren brenda sallave të gjyqit për mbrojtjen nga COVID-19, nga moslejimi i publikut, deri tek mundësia e zhvillimit të seancave në distancë përmes videokonferencave.

Gjatë 7 javëve të pezullimit, në gjykata u zhvilluan vetëm proceset gjyqësore të ngutshme, si vlerësimi i masave të sigurisë dhe afatet e paraburgimit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos