Komisioni i Venecias e ka zyrtarizuar pa ndryshime nga drafti paraprak opinionin final që presidenti Meta kërkoi për ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut dhe kodin zgjedhor të 5 tetorit. Venecia kritikon hartimin e shpejtë e pa konsultim të gjerë të këtyre ndryshimeve, por asgjë nuk do të ndryshojë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Demokratët shpresonin që me fjalën e Venecias të rikthente modelin e koalicioneve, ku secila parti garon me listën e saj të kandidatëve. Por, Komisioni për Demokraci Përmes Ligjit nuk e sheh si cenim të elementeve thelbësore të sistemit, formulën e koalicioneve. Po ashtu, ekspertët sjellin në vëmendje se edhe në vitin 2017, partitë politike dolën me marrëveshje pa koalicione.
Edhe hapja e listës, sipas ekspertëve të Venecias, nuk do të sjellë ndonjë ndryshim thelbësor, pasi do të jetë shumë i vështirë ndryshimi i renditjes së partisë nga rezultati, për shkak të numrit të madh të votave që duhet të marrë një kandidat me votat preferenciale.

Nga ana tjetër, ekspertët e Venecias shprehin keqardhje për djegien e mandateve nga opozita. Përgjigje merr dhe presidenti Meta. Parlamenti edhe pse me 122 deputetë, nga 140 që duhet te ketë, është legjitim sipas Komisionit te Venecias. (A2 Televizion)