Venezuela drejt luftës civile, përplasje me armë zjarri mes opozitës dhe qeverisë

Nga A2 CNN
1 Maj 2019, 00:46 | Bota

Tension i lartë në Venezuelë, ndërsa vendi po shkon drejt një lufte civile. Pasi opozita nisi tentativën për grusht shteti, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të një baze ajrore në Karakas, ku qëndron Juan Guaido bashkë me disa ushtarë dhe qytetarët e shumtë.

Përplasja me armë po ndodh ndërmjet burrave me uniformë që përkrahin liderin e opozitës dhe trupave që mbështesin presidentin Nikolas Maduro. Përveç kësaj, një autoblindë e gardës kombëtare hyri mes turmës duke goditur disa persona.

“Kjo thirrje është për të gjithë, që të dalin në rrugë në këto momente për të mbështetur atë që kemi ndërtuar ndër vite. Ne jemi tani në rrugë, jo vetëm me komunitetin ndërkombëtar dhe qytetarët, por edhe me forcat e armatosura kombëtare që po mbështesin qytetarët, të ardhmen dhe progresin. Ky është një moment i rëndësishëm për Venezuelën”, deklaroi Juan Guaido.

Pavarësisht qëndrimit të liderit opozitar, Maduro pretendon se ushtria e vendit qëndron në krah të tij. “Kam komunikuar me komandantët ushtarakë të vendit, të cilët kanë shprehur besnikëri të plotë ndaj qytetarëve, kushtetutës dhe atdheut. Kërkoj mobilizim popullor për të siguruar fitoren e paqes. Ne do të fitojmë!”, deklaroi presidenti Maduro.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos