Veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ekstradohen 3 të shpallur në kërkim

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 16:18 | Kronikë
Veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ekstradohen 3

Janë ekstraduar nga Greqia dhe nga Holanda drejt Shqipërisë 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa një tjetër i shpallur në kërkim është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. Interpol Tirana njofton se dy të parët janë të dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa 40-vjeçari i ekstraduar drejt Italisë është dënuar përveç trafikimit të drogës edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

“Si rezultat i bashkëpunimit me homologët holandezë u ekstradua nga Holanda drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Zef Gjikolaj, 33 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 26.05.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", pasi në datën 11.12.2015, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ka tentuar të shesë 15.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa, në Mirditë.

Si rezultat i bashkëpunimit me homologët grekë u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Ergys Rushan, 37 vjeç, banues në Korçë, të cilin Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", njofton Interpol Tirana.

“Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët italianë u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë", thuhet në njoftim.

Dy të ekstraduarit drejt Shqipërisë iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos