
300 veteranë, të cilët ishin pjesë e zbarkimeve për “D-DAY”, udhëtuan me anije nga brigjet e Portsmouth për në Normandi të Francës. Veteranët, të gjithë mbi 90 vjeç, përjetuan edhe njëherë lundrimin e vitit 1944 përmes Kanalit Anglez. Anija u shoqërua edhe nga një avion i kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Në orët e para të 6 qershorit të 1944-ës, mbi 150 mijë trupa aleate u larguan nga Portsmouth dhe zonat përreth për të zhvilluar sulmin ajror, tokësor dhe detar në Normandi, që rezultoi në çlirimin e Evropës Perëndimore nga regjimi nazist. Operacioni përfshiu 7 mijë anije dhe avionë përgjatë brigjeve franceze. Mijëra persona u vranë nga të dy palët. Rikthimi më i veçantë ishte ai i dy veteranëve britanikë, të cilët zbritën me parashutë në Normandi. Të veshur me të kuqe, 95-vjeçari Harry Read dhe 94-vjeçari Jock Hutton, rikujtuan zbarkimet e 75 viteve më parë.
“Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit për mua pasi jam 94 vjeç. Bashkëshortja dhe unë kemi 69 vite martesë. Më vjen keq të them se ajo nuk ndihet shumë mirë në këto momente. Unë përfitova nga rasti dhe dola nga dera e pasme dhe ja ku jam”, u shpreh veteran britanik Jock Hutton, ndërsa shoku i tij Harry Reed tha se kjo nuk ishte çështje patriotizmi, por diçka që duhej bërë.
Përkujtimi i D-Day mblodhi bashkë numrin më të lartë të avionëve Dakota C-47 që prej Luftës së Dytë Botërore, të cilët ndoqën të njëjtin itinerar si 75 vite më parë. (A2 Televizion)