
Partia në pushtet e Albin Kurtit, Vetëvendosje, nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë te zgjedhjeve lokale, por do të garojë për 12 komuna në balotazh. Megjithatë në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjeve të së dielës, kryeministri u shpreh i kënaqur me rezultatet, duke thënë se Vetëvendosje është parti e parë edhe në nivel komunal.
Ai u shpreh i bindur se do të fitojnë në çdo komunë ku janë në balotazh. Sipas rezultateve paraprake të KQZ, vetëm 17 komuna kanë një fitues, ndësa drejtuesit e 21 të tjerave do të përcaktohen në raundin e dytë. Lista Serbe është ajo që ka siguruar më shumë komuna, plot 9 të tilla nga 10 që janë me shumicë serbe. PDK fiton në 4 komuna, në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skënderaj; ndërsa LDK dhe AAK në 2 të tilla; respektivisht Lipjan e Pejë dhe Deçan e Suharekë. Certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve do të bëhet pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me aftësi të kufizuara, ndërsa sipas ligjit të Kosovës, balotazhi zhvillohet 4 javë më vonë.
Në balotazh do të shkojnë komunat më të mëdha, përfshirë Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe Gjilanin. Analistët parashikojnë se partitë e tjera do të bëhen bashkë për të mundur Vetëvendosjen e Albin Kurtit në balotazh.
Për Prishtinën beteja zhvillohen mes Arben Vitisë së Vetëvendosjes dhe Përparim Ramës nga LDK që doli i dyti në zgjedhje. Në Gjakovë, ish-kryetarja Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje do të garojë kundër kryetarit të deritanishëm, Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në komunën që kishte qeverisur për katër vjet, në Prizren, Mytaher Haskuka i LVV-së do të garojë në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj. 43 përqind e votuesve me të drejtë vote, ushtruan të drejtën në zgjedhjet e 17 tetorit. (A2 Televizion)