
Gjykata e Strasburgut ka dalë në konkluzionin se ka pasur shkelje gjatë procesit të vlerësimit të Vetingut ndaj ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari, i cili e shkarkoi nga detyra disa kohë më parë.
Sipas vendimit të “Strasburgut”, shteti shqiptar do të detyrohet që të dëmshpërblejë të gjitha shpenzimet e kryera gjatë procesit nga ana e prokurores së shkarkuar, që kapin shifrën e rreth 25 mijë eurove.
Por, pse u shkarkua nga Vetingu prokurorja Sevdari?
Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pa u bërë fillimisht një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.
Me sa duket pasuria e bashkëshortit të saj ka sjellë edhe verdiktin final. Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi si të pamjaftueshëm justifikimin e pasurisë së saj dhe të bashkëshortit, i cili ka jetuar në Arabinë Saudite, burime që për një pjesë kanë shmangur tatimet.
Për sa i përket aftësive profesionale, Kolegji vendosi të mos nisë hetime për 10 denoncimet e ardhura ndaj saj, sepse nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme.
Kolegji vendosi se Sevdari “ka cenuar besimin e sistemit të drejtësisë”, duke ndryshuar në këtë mënyrë vendimin e një viti më parë të KPK-së.
(A2 Televizion)