
Publicistit dhe politikanit nga Kosova, Veton Surroit, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës”, i dhënë nga Këshilli i Qarkut në vitin 2015. Ky vendim, sipas Kryetarit të Këshillit të Qarkut, Abdulla Domi, është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit, të cilët sipas Domit, kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.
Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut, heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë vendim reagoi më pas edhe kryeministri Rama, i cili e quan një lajthitje kolektive këtë vendim dhe pret që të refuzohet nga prefekti i këtij qarku.
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”, mbyllet reagimi i kryeministrit. (A2 Televizion)