Vijon kaosi me udhëtimet, mbi 1400 fluturime anulohen edhe të hënën

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 10:56 | Bota
Vijon kaosi me udhëtimet, mbi 1400 fluturime anulohen edhe të

Anulimi i fluturimeve për shkak të Covid-19 ka vijuar edhe përgjatë së hënës, pas një fundjave të tmerrshme festive për mijëra njerëz.

Mbi 1400 fluturime u anuluan këtë fillimjavë, me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që ishin vendet më të goditura, sipas websitit “Flight Aware”. Kompanitë amerikane thonë se shkak është bërë infektimi me Covid-19 ose izolimi i pjesëtarëve të stafit.

Hong-Kongu ka ndaluar të gjitha fluturimet e kompanisë koreano-jugore, “Korean Air”, pas rasteve pozitive mes disa pasagjerëve.

Në total, më shumë se 8 mijë avionë kanë mbetur në tokë, përgjatë fundjavës së gjatë të Krishtlindjeve që nisi të premten.

Edhe pse fluturimet e anuluara janë një përqindje e vogël e totalit, ato janë më shumë se sa normalja dhe ndodhin në një kohë të vitit kur shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar kohën me familjarët dhe miqtë.  

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara po monitorojnë gjithashtu dhjetëra anije turistike, ku janë evidentuar raste me koronavirus, teksa ishin në lundrim. Disa prej tyre, ju mohua ankorimi në Karaibe.

Rastet me Covid-19 janë rritur ndjeshëm rreth botës, për shkak të variantit shumë të transmetueshëm Omicron.

Pavarësisht të dhënave se ai është më i butë se të tjerët, shkencëtarët janë të shqetësuar për numrin e lartë të infektimeve të regjistruara.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos