
Vllaznia do të luajë këtë të enjte përballë rumunëve të Universitatea Craiova, në ndeshjen e parë të vlefshme për turin e dytë të Conference League. Një organizim deri në detaje nga ana e shkodranëve, pasi priten me mijëra tifozë për të mbështetur skuadrën e zemrës në “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë zhvilluan dhe një konferencë për shtyp bashkë me përfaqësues të policisë, ku treguan masat që do të merren.
“Do të këtë bllokim të disa akseve rrugore, të cilat do të bëhen të ditura në një njoftim të dytë. Gjithashtu, parkimi afër stadiumit do të jetë i ndaluar. Po ashtu, një masë tjetër do të jetë kontrolli i thelluar i të gjithë tifozëve dhe sportdashësve që duan të ndjekin ndeshjen në stadium”, tha Behar Kraja, shef i sigurisë pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër.
Ndërsa Ardian Zaganjori, shef i sigurisë i KF Vllaznia, u shpreh: “Meqë në të kaluarën ne nuk kemi histori të suksesshme në Europë, ku fatkeqësisht klubi i Vllaznisë është gjobitur me shuma të majme, menduam që këtë herë plani i masave të shtrohet paraprakisht. Do të ndalohet rreptësisht hyrja e personave që na kanë shkaktuar probleme në të kaluarën, duam që dita e enjte të jetë një festë për tifozët tanë”.
Plani do të shtjellohet dhe më shumë në ditët në vijim.
Vllaznia-Universita Craiova do të luhet të enjten, në orën 21:00, në Shkodër. (A2 Televizion)