
Dy humbje në tre ndeshjet e fundit, por mbi të gjitha plagët e marra në derbi e kanë kthyer Partizanin në shënjestrën e rivalëve.
Të kuqtë i pret transferta në Shkodër, përballë një Vllaznie të uritur për fitore. Suksesi do të bënte që kuqeblutë të kalonin me pikë edhe rivalët e mëdhenj.
Trajneri i Vllaznisw, Mirel Josa, u shpreh: “S’mund t’i themi derbi, sepse nuk janë dy skuadra të një qyteti. Normalisht është një ndeshje e rëndësishme, si të gjitha ndeshjet e kampionatit. Duhet pasur parasysh që kemi një Partizan, i cili do të ketë një paraqitje tjetër, duke pasur parasysh atë që bënë me Tiranën.
Është një ndeshje mes dy skuadrave që kanë qenë rivale me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës. Nuk do të thotë që gjatë kësaj kohe, kudo ku kanë luajtur, qoftë në Tiranë, qoftë në Shkodër, duhet marrë maksimumi”.
Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo ndërmjet Tiranës dhe Laçit. Pavarësisht moralit të lartë pas triumfit në derbi, te bardheblutë i tremben kurbinasve, edhe pse ata pozicionohen të fundit në renditje.
“Kundërshtar që ka lojtarë cilësor. Kundërshtar që në vitet e fundit është faktor në futbollin shqiptar. Kundërshtar që ka koeficientin më të lartë nga të gjitha klubet shqiptare në Europë. Do ta hiqja këtë vendi i fundit. Mendoj që është një skuadër që meriton vëmendje personale sepse është realisht një skuadër e fortë. Eufori nga derbi? Derbi ka intensitet shumë të madh dhe janë shumë pak ditë në dispozicion për të rikuperuar energjitë dhe emocionet. Këto ditë fokusi ka qenë te vlerësimi. Duke mbajtur mendjen në derbi dhe të humbin përqendrimin nga ndeshja e nesërme, nuk është diçka e mirë”.
Këtë të premte luhet edhe ndeshja Erzeni-Egnatia. Java e shtatë e Superiores mbyllet të shtunën, me takimet Kukësi-Bylis dhe Kastrioti-Teuta. (A2 Televizion)