Arrestohen tre grabitës në Cërrik, vodhën para dhe bizhuteri në banesën e një gjyqtareje

Nga A2 CNN
9 Qershor 2023, 10:29 | Kronikë

Tre persona që akuzohen për vjedhje në disa banesa në zonën e Belshit, nga të cilat kanë arritur të grabisin rreth 4 milionë lekë të reja dhe pajisje të ndryshme, janë arrestuar nga policia.

Hetuesit kanë arritur të dokumentojnë të paktën tre grabitje të grupit në fjalë, që përbëhet nga A. K., 22 vjeç, banues në Belsh, E. M., 40 vjeç dhe L. N., 49 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

Burime për A2CNN bëjnë me dije se një prej banesave të grabitura nga treshja në fjalë i përket një gjyqtareje.

Bëhet fjalë për gjyqtaren Shpëtime Pitaku, në banesën e së cilës hajdutët e arrestuar kanë arritur të marrin para dhe sende me vlerë.

Gjyqtarja Shpëtime Pitaku

Ka qenë bashkëshorti i gjyqtares ai që ka denoncuar grabitjen në polici, një javë pasi hajdutët kanë hyrë në banesën e tyre. Siç ai ka dëshmuar, vjedhja ka ndodhur gjatë ditës.

Kemi qenë në punë”, është shprehur bashkëshorti i Pitakut. Ai gjithashtu ka thënë për hetuesit se gjatë mësymjes grupi i grabitësve kanë vjedhur bizhuteri dhe një shumë të vogël parash.

Mësohet se shtëpia e gjyqtares nuk ka qenë e pajisur me kamera sigurie dhe po ashtu lagjja në të cilën ajo ndodhet është e pamonitoruar.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të vjedhjeve në 3 banesa të ndryshme, konkretisht:

-Më datë 14.05.2023, kanë vjedhur  2.000.000 lekë të rinj, në banesën e shtetasit E. I.;

-Më datë 07.06.2023, kanë vjedhur 13.000 euro dhe 6.000 dollarë, në banesën e shtetasit O. B.;

-Më datë 01.06.2023, kanë vjedhur dyert dhe dritaret e banesës së shtetasit Y. T.

Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

Njoftimi i policisë

A2 CNN Livestream

Latest Videos