
Ndeshje historike do të jetë ajo e pasdites së sotme mes Partizanit dhe Erzenit të Shijakut në volejboll, me klubet shqiptare që ndeshen për herë të parë në një kompeticion ndërkombëtar.
Kampionët e Shqipërisë dhe fituesit e Kupës së Republikës përballen në turin e parë të “CEV CHALLENGE CUP”, atje ku si asnjëherë më parë njëra prej skuadrave do të ketë mundësinë të kalojë në turin tjetër.
Njëzëri të dy trajnerët, Arben
Sako dhe Ylli Tomorri, e kanë konsideruar fitore të volejbollit shqiptar
shortin e pazakontë të këtij edicioni, por për numrin një të Partizanit, shorti
ndaj Erzenit ishte i favorshëm edhe për të minimizuar shpenzimet financiare, që
janë të cunguara për klubet shqiptare.
Turi tjetër e vë skuadrën e kualifikuar
përballë një superfuqie të volejbollit europian, si italianët e Power Volley
Milano.
Partizani dhe Erzeni luajnë sot aktin e parë të kualifikimit, në orën 18:00, në sallën “Feti Borova” të kryeqytetit, atje ku pritet një numër i madh tifozësh nga të dyja skuadrat. (A2 Televizion)