Vota për kreun e SPAK, Kim i kërkon KLP të mos ndikohet, Rama: S'e zgjedh qeveria, ambasada jo e jo

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2022, 15:17 | Politikë
Vota për kreun e SPAK, Kim i kërkon KLP të mos ndikohet, Rama:

Të premten Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zgjedhë kreut të ri të SPAK, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim përsëriti thirrjen që procesi të mos ndikohet nga ata që kanë interes për të manipulojnë hetimet.

“Jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit pa frikë apo favore. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, deklaroi Kim.

Ambasadorja amerikane, e cila një ditë më parë deklaroi se do të qëndrojë në Shqipëri përtej mandatit të saj trevjeçar dha garancinë e SHBA-ve për mbarëvajtjen e reformës. “SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të mbështesin me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, theksoi ajo.

Në mbështetje të deklaratës së Kim doli kryeministri Rama, i cili nënvizoi se anëtarët e KLP-së nuk duhet të dëgjojnë askënd, përfshirë ambasadën. “Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, vulorja, fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, tha Rama.

Më 16 dhjetor këshilli i Lartë i Prokurorisë do të dëgjojë e më pas përzgjedhë pasuesin e Arben Krajës mes tre kandidaturave të Adnan Xholit, Altin Dumanit dhe Edvin Kondilit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/14/kreu-i-ri-i-spak-reagon-yuri-kim-pa-frike-dhe-pa-favore-monitorojme-procesin/
https://a2news.com/2022/12/14/zgjedhja-e-kreut-te-spak-kryeministri-rama-jam-dakord-me-ambasaden-amerikane/

A2 CNN Livestream

Latest Videos