
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
Kryeministri Rama shkruan se është dakord me ambasadën amerikane se kreun e SPAK nuk e zgjedh askush përveç KLP dhe për këtë arsye i bëri thirrje këtij institucioni që të mos influencohet, por të lexojë vetëm biografinë e kandidatëve.
“Jam plotësisht dakord me ambasadën amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruan Rama. (A2 Televizion)