
Kur kanë kaluar dy ditë nga ekzekutimi i 50-vjeçarit Arben Bilali policia sekuestroi kamerat e sigurisë së një lokali për të verifikuar pretendimet e një prej anëtarëve të fisit Xhabafti se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Burime pranë hetuesve thanë se gjatë marrjes në pyetje njëri prej personave të familjes tjetër, e cila ka pasur konflikte me Bilalin kishte pretenduar se në kohën e vrasjes ai ka qenë duke drekuar me të afërm.
Për këtë, policia sekuestroi kamerat e sigurisë, ndërsa del e provuar se dëshmia është e vërtetë. Për këtë, hetimet janë përqendruar tek dy vrasjet e ndodhura në Berat gjatë viteve 1998, por për të cilat prokuroria ka pushuar hetimet.
Nga ana tjetër është marrë dhe dëshmia e mikut të Arben Bilalit me të cilin viktima udhëtoi pak para se të ekzekutohej me automatik.
Ai tha për hetuesit se ditën e ngjarjes kishin shkuar së bashku në një servis afër zonës së “21 dhjetorit” për të rregulluar makinën. Deri më tani vrasja e ish-efektivit të policisë ka mbetur pa autor. Ndonëse në vendngjarje kishte më shumë se 10 kamera sigurie, policia ka vetëm targën false të automjetit të atentatorëve. (A2 Televizion)