
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest në burg" për Fredi dhe Pajtim Rrushin, të akuzuarit për zhdukjen dhe vrasjen e Ruzhdi Shehut.
Pajtim Rrushi, vëllai i Fredi Rushit, personi i cili dyshohet se është vrasësi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha, u mor në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.
Pas ndalimit, ai u ka thënë hetuesve se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja pasi Covid-19 e kishte lënë me pasoja, por tentativa e tij u hodh poshtë nga policia pas paraqitjes së pamjeve filmike, ku Pajtimi duket që merr automjetin i cili transportoi viktimën.
Automjeti “Volkswagen Passat” i Fredi Rrushit, në bordin e të cilit hipi biznesmeni Ruzhdi Hoxha para se të ekzekutohej dhe mbulohej me gurë e zhavorr mbrapa Dajtit, nuk është gjetur ende nga hetuesit.
Për fshehjen e tij, akuzohet vëllai i të akuzuarit për vrasjen, Pajtim Rrushi, i cili nuk ka pranuar të tregojë vendndodhjen me pretendimin se nuk e mban mend. Por dyshimet se në mjet mund të ketë prova të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes janë shtuar për shkak të një filmimi që ndodhet tashmë në duart e grupit të hetimit.
Katër ditë pas zhdukjes së biznesmenit 43-vjeçar, mbrëmjen e 25 tetorit, një kamera sigurie ka fiksuar mjetin të parkohet para lokalit të Pajtim Rrushit. Mjeti është parkuar aty nga një person me iniciale B. K., që ka pretenduar se i ka çuar çelësat Pajtimit dhe i ka rrëfyer atij se vëllain e kishin ndaluar.
Sipas dosjes së prokurorisë, në një hark kohor prej 20 minutash ai dhe Pajtimi shquhen të bëjnë lëvizje nga makina në lokal dhe anasjelltas. Në një prej pamjeve B. K. kërkon diçka në kabinën e mjetit me dritën e telefonit, ndërsa pak minuta më vonë ai shkon te mjeti me një qese të madhe në dorë bashkë me Pajtimin dhe pastaj largohet.
Më pas, sipas Prokurorisë, Pajtim Rrushi, hap derën e mjetit, sheh rreth e qark edhe futet në të. Ndërsa është brenda në automjet, te dera e shoferit vjen një punonjës policie, i cili pasi komunikon me drejtuesin largohet. Në orën 19:26 minuta, sipas prokurorisë, mjeti lëviz duke u larguar nga këndi i shikimit të kamerës dhe nga ai moment nuk dihet vendndodhja e tij. Hetuesit dyshojnë se në të mund të ketë prova të vlefshme, përshi gjurmë ADN-je të viktimës. Nga ana tjetër, zhdukja e mjetit ka ngritur dyshime se ekzekutimi mund të jetë kryer në mjet dhe për pasojë të ketë njolla gjaku në të, apo shenja plumbash, fakt që ka shtyrë të dyshuarit ta fshehin atë. (A2 Televizion)