
Vrasja e biznesmenit Dem Backa në Fier, dy ditë më parë, dhe torturat ndaj biznesmenit Nazmi Çangu në Krujë, kanë sjellë edhe reagimin e presidentit Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se këto ngjarje kriminale përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës. Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit”.
Ai u bën thirrje autoriteteve që të vënë para drejtësisë autorët e këtyre ngjarjeve, por edhe të marrin masa për parandalimin e tyre.
“I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”. (A2 Televizion)