
Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Ervin Salianji, ka reaguar për vrasjen e dyfishtë në Tiranë ku humbën jetën Erigers Mihasi dhe Armando Dumani.
Sipas Salianjit, krimi goditi sërish në mes të qytetit pa u trembur pasi qeveria nuk ka më as dëshirë të përballet me të.
“Sot thuajse si përditshëm kërciti automatiku në orën me më shumë lëvizje, breshëritë e plumbave po zbrazen kudo, në mes të qyteteve, në zonat më të populluara dhe pa kursyer askënd dhe pa ju dridhur dora para askujt! Krimi është trimëruar dhe po bën kërdinë me eliminime të tipit mafioz, vrasje, grabitje, drogë, dhunë, vjedhje.
Për fat të keq siç e kemi paralajmëruar krimi pjell krim, përdorimi i bandave në zgjedhje praktikisht është dorëzimi i territorit dhe sovranitetit në duart e tyre! Qeveria as nuk ka fuqi as nuk ka dëshirë të përballet me krimin, ata janë ortakë, ata duhen zhdukur njësoj si e keqe e madhe për çdo familje, për çdo qytetar”, shkruan Salianji. (A2 Televizion)