Vrasja e Jan Prengës, Gjykata e Posaçme pezullon gjykimin për 7 të akuzuarit

Nga A2 CNN
23 Mars 2022, 13:29 | Kronikë
Vrasja e Jan Prengës, Gjykata e Posaçme pezullon gjykimin për 7

Më shumë se dy vjet nga rrëmbimi dhe zhdukja pa gjurmë e Jan Prengës, jo vetëm që nuk është gjetur trupi i tij, por nuk do të ketë as gjyq për të akuzuarit për ngjarjen. Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë me një vit gjyqin ndaj 7 të pandehurve të çështjes, për shkak se asnjë prej tyre nuk është arrestuar në Shqipëri.

Referuar procedurës, për shkak të mosmarrjes dijeni të tyre për procesin, gjykimi është pezulluar, ndërsa mbi të pandehurit rëndojnë një sërë veprash penale, mes të cilave “rrëmbim apo mbajtje peng e personit”, kur është shkaktuar vdekja, “fshehje dhe asgjësim i kufomës”, “grupi strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtjen pa leje”.

I pandehur në proces dhe i dyshuar i SPAK si një nga urdhëruesit e rrëmbimit të Jan Prengës është edhe Dritan Rexhepaj, që aktualisht po vuan një dënim me burg në Ekuador.

Sipas SPAK, urdhëruesi tjetër i krimit është Gentian Funiqi (Doçaj), organizatorë të krimit, Martin Bleta e Korado Kështeja, ndërsa personat që vunë në jetë planin Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Hetimi i Strukturës së Posaçme, zbuloi se Prenga ishte rrëmbyer për të shtrënguar vëllanë e tij në Angli për të kthyer një sasi kokaine të vjedhur në Portin e Portsmouth, ku ishte trafikuar nga Ekuadori. Prenga u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz e më pas u dërguar në një kompleks në fshatin Pjesës të Shijakut, ku mendohet se ka ndërruar jetë nga torturat. Pamjet e fundit të tij janë në kamerat e sigurisë së kompleksit.

Fillimisht, SPAK ngriti dyshimet edhe për pesë persona të tjerë, mes të cilëve anëtarë të fisit Hajri, por për ta u pushua akuza për mungesë provash. Ndërkohë, paralelisht për ngjarjen po gjykohen në GJKKO,  Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit në Shijak dhe Olsi Turja, të vetmit të arrestuar për ngjarjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos