
Pas arrestimit të autorit të dyshuar dhe bashkëpunëtorit të tij, policia e Elbasanit ka bërë të ditur se ka gjetur armën me të cilën u krye vrasja e Madrit Ulqinakut.
“Gjatë mbrëmjes së djeshme u vu në pranga autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje dhe bashkëpunëtori i tij. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, si dhe në bazë të provave të grumbulluara nga puna e mirëfilltë hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar "The end", u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së datës 17 gusht, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari M. U.
Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve H. P., 18 vjeç dhe K. S., 33 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për këta shtetas, për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 gusht pranë stadiumit Elbasan Arena për motive të dobëta. (A2 Televizion)