
Arbër Paplekaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ngjarje kjo e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021, është rrëfyer në sallën e gjyqit për akuzën që rëndon mbi të. Gjatë seancës paraprake të zhvilluar me dyer të mbyllura, Paplekaj është shprehur se ishte detyruar të qëllonte me armë pasi konstatoi një mosreagim të forcave të policisë që ishin në vendngjarje.
“Ndërsa pashë mikun tim që ishte i plagosur në tokë dhe askush nga policia nuk ndërhyri, përballë kërcënimeve dhe fyerjeve që më vinin nga afër u detyrova të qëlloja pasi po më rrezikohej jeta”, mësohet të jetë shprehur Paplekaj përpara Gjykatës së Elbasanit.
Në këtë kontekst, i akuzuari së bashku me avokatin e tij, kanë kërkuar rihetim të ngjarjes, pasi sipas tyre në momentin kur është kryer në vendngjarje ekspertiza mbi dinamikën e konfliktit, as Paplekaj dhe as avokati i tij nuk janë njoftuar për të qenë të pranishëm. Në lidhje me këtë kërkesë, prokurori i çështjes ka kërkuar kohë për t’u shprehur, ndërsa gjykata ka caktuar datën 3 tetor, për të dëgjuar pretendimet e prokurorisë, si dhe për të vendosur mbi kërkesën e te akuzuarit Paplekaj për rihapje të hetimeve ose për dërgimin e dosjes në gjendjen që është për gjykim.
Në të njëjtën çështje janë të pandehur edhe dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit si dhe 6 efektivë të policisë që akuzohen për mosveprim.