Identifikohet viktima, i cili u qëllua pasditen e kësaj të diele për vdekje me një plumb në kokë në një prej lokaleve të Kavajës. Mësohet se viktima quhet Arjan Gosa, i cili është vëllai i Edmond Gosës, i vrarë më shumë se një muaj më parë, pas një sherri me Altin Rexhën.
Raportohet se rreth orës 18:30 një person ende i paidentifikuar është afruar pranë ambienteve të një lokali dhe ka qëlluar me një plumb në kokë Arjan Gosën. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, ndërsa viktima ka qenë nën shoqërinë e të atit në të njëjtën tavolinë kur është qëlluar.
“Kavajë/Informacion paraprak: Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.”, njofton Policia e Kavajës në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Kujtojmë se, vëllai i viktimës së sotme, Edmond Gosa fillimisht plagosi me thikë Altin Rexhën dhe më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë.
Altin Rexha i cili kishte ndryshuar emrin në Sali Rexha, ka qenë me një fëmijë përdore në momentin e konfliktit. Gjithashtu edhe Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin në Armand Gosa. (A2 Televizion)


