A2 ka siguruar foto nga momentet e vrasjes së ndodhur në Laprakë dy ditë më parë. Fotot tregojnë se si autori i shoqëruar dhe nga personi tjetër i arrestuar Ronald Muzhaqi largohen me vrap pasi kanë qëlluar 4 herë në drejtim të makinës ku ndodheshin të rinjtë.
Ngjarja, e cila është fiksuar nga disa kamera sigurie në zone sipas eksperteve të policisë ndodhi brenda pak sekondave ndërsa nga të dhënat e grumbulluara nga grupi hetimor mësohet se plumbi i fundit i mori jetën 17-vjeçares Griselda Gjikolaj.
Pas rindërtimit të skenës së ngjarjes burimet thanë se autori i dyshuar 19-vjeçar u afrua pranë makinës dhe nisi të qëllojë me pistoletë. 23-vjeçari Erion Benga tentoi të dalë nga makina por mori dy plumba në shpatull. Menjëherë pas kësaj i riu hyri brenda në automjet dhe mundi të lëvizë makinën por pikërisht kjo lëvizje bëri që trajektorja e qitjes të devijojë tek xhamat e pasmë për të përfunduar te Griselda Gjikolaj.
Ndonëse kanë kaluar dy ditë nga ngjarja e rëndë, policia vijon të mos japë identitetin e personit që sipas saj ka qëlluar në drejtim të makinës. Edhe pse sipas saj ai është identifikuar blutë ende nuk janë vënë në gjurmët e tij. (A2 Televizion)