
Një 38-vjeçare u qëllua për vdekje nga kunati i saj, pas konflikteve të vazhdueshme. Krimi ndodhi në orën 23.40, tek vendi që njihet si Ura e Paskuqanit, në Tiranë, kur Enkeleda Çapoku u godit me sende të forta nga 34-vjeçari Erdet Çapoku, i cili pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim nga policia. Por ai u arrestua pas disa orësh në zonën e Laprakës nga forcat e policisë.
Viktima u përpoq të mbronte vajzën nga sulmi i kunatit, ndërsa në banesë ndodhej edhe nëna e saj. Autori punonte si faturino, ndërsa njihej si përdorues alkooli dhe droge, kurse policia e kishte skeduar për disa konflikte në lagje. Më herët, autori dhe viktima jetonin në një banesë, por 6 muaj më parë Erdeti e kishte dhunuar dhe ajo bëri kallëzim penal në polici. Shkak për dhunën ishin videot dhe fotot që Erdeti i bënte Enkeledës dhe ia dërgonte vëllait të tij, Elton Çapokut, i cili ndodhet në burg, pasi është dënuar me 10 vjet për trafik droge.
Autori i krimit, kur e filmonte dhe fotografonte viktimën, i thoshte se kishte marrë porosi nga vëllai, pasi ai dyshonte për tradhti, ndërkohë që Enkeleda ishte bashkuar me Dëshmitarët e Jehovait. E ndodhur në këto kushte, ajo e denoncoi kunatin, por gjithsesi ai arriti t’i merrte jetën. (A2 Televizion)