
Një shqiptar 18-vjeçar u vra me armë zjarri mbrëmjen se martës në Greqi. Ngjarja u regjistrua ne Kavalla, ndërsa identiteti i të riut ende nuk është publikuar nga autoritetet greke. Sipas policisë 18-vjeçari, i cili ka qenë dhe futbollist i një ekipi grek, u qëllua dy herë në shpinë duke mbetur i vdekur në vend. Djali jetonte prej vitesh në Greqi, aty ku kishte mbaruar edhe shkollën.
Nga të dhënat e para mësohet se shqiptari kishte një kartëmonedhë 50 euroshe në dorë. Prindërit e tij u morën në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit nga ana tjetër kanë ngritur disa pista mes tyre dhe ajo e përplasjeve për pazaret e drogës.
18-vjeçari është shqiptari i katërt që vritet në Greqi brenda pak javësh. Pak ditë më parë u vra Altin Mullai nga policia greke pasi u zbulua në tentativë për të trafikuar drogë. Më pas Petrit Zifle i cili u ekzekutua në Korfuz nga një anëtar i Agimit të Artë pas një debati për minoritarin Kaçifa, ndërsa një 35-vjeçar u gjet i pajetë në burgun e Trikalasë.
Reagon Tirana zyrtare: Greqia të frenojë ekstremistët
Pas ekzekutimit të Marios Isës në Kavalla, rasti i katërt i një shqiptari që vritet në Greqi brenda pak javësh, ka reaguar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në deklaratën zyrtare të publikuar këtë të mërkurë, shprehet keqardhja për humbjen e jetës së 18-vjeçarit shqiptar, por theksohet edhe shqetësimi për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi në javët e fundit.
“MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane”.
Ministria e Jashtme gjithashtu angazhohet për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh europian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.
Mediat greke: E vrau një tjetër shqiptar
Mediat greke raportojnë se autori i vrasjes së 18-vjeçarit shqiptar në Greqi, Marios Isa, është një bashkëkombës i tij, i cili është arrestuar. Sipas “Protothemas”, autori i dyshuar i vrasjes është një mik i viktimës i cili ka pranuar para autoriteteve se e ka vrarë aksidentalisht. Marios Isa është goditur me pistoletë në gjoks duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Por pavarësisht pretendimeve të autorit të dyshuar, hetuesit po përpiqen të zbulojnë shkaqet e vërteta të vrasjes, si edhe arsyen pse ai mbante një pistoletë me vete. (A2 Televizion)