
Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për qetësimin e situatës në veri të Kosovës përmes planit europian për dalje nga kriza.
Këtë e ka theksuar sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, gjatë një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas asaj që raporton vetë kreu i shtetit serb.
Nga ana tjetër Departamenti i Shtetit nuk ka zbardhur ende bisedën. Vuçiç njoftoi se gjatë telefonatës me Blinkenin, ka kërkuar lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar në veri të Kosovës. Presidenti serb ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale janë veprime thelbësore për të ulur tensionet.
Megjithatë qëndrimi zyrtar i Uashingtonit por edhe i Brukselit është se personat që kanë ushtruar dhunë ndaj KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës apo mediave duhet të përballen me ligjin. (A2 Televizion)