
“Të tregohemi të përmbajtur pas aktakuzës ndaj Thaçit”. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili siç tha, është thelbësor për përparimin e këtyre vendeve drejt BE-së.
Zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian i bëri këto komente pas takimit të zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vucic, 1 ditë pasi u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Një zëdhënëse e Komsionit Europian përcolli mesazhin që Von der Leyen u dha liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
“Presidentja e Komisionit Europian shprehu mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, i cili është thelbësor për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ata u dakordësuan gjithashtu mbi reformat që duhen ndërmarrë si pjesë e rrugës drejt BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe korrupsionit”.
Pas takimit, Vucic konfirmoi vazhdimin e dialogut me Prishtinën duke thënë se, para rikthimit në tryezën e negociatave do të merrnin pjesë në një samit, me përfaqësues të shteteve më të mëdha europiane, i cili do të lidhet me vijimësinë e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
I pranishëm në takim ishte edhe i dërguari i BE për dialogun Miroslav Lajcak. Më herët, Vucic reagoi edhe ndaj aktakuzës kundër presidentit Thaci, duke thënë se gjëja më e rëndësishme është të tregoheshin të përmbajtur. “Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme, por duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo lloj sulmi”, tha Presidenti serb në Bruksel. (A2 Televizion)