Xhafaj e Gjiknuri përplasen për punët e drejtësisë

Nga A2 CNN
12 Korrik 2022, 12:56 | Politikë
Xhafaj e Gjiknuri përplasen për punët e drejtësisë

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, më shumë se sa përplasjen e zakonshme maxhorancë-opozitë, tregoi se mosdakordësia është edhe vetë mes eksponentëve të PS. Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri u përfshinë në replika publike të ndërsjella, ku si shkak ishte rezoluta për veprimtarinë vjetore të Këshillit të Latë Gjyqësor dhe rekomandimet që Kuvendi i le këtij institucioni.

“Tjetër gjë artikulojmë në gjykimet politike të caktuara dhe tjetër shprehemi në rezoluta. Sepse nëse ne themi që kemi disa shqetësimi në proporcionalitetin në hetime dhe në gjykime nga GJKKO-ja, nuk kemi vend tjetër ku ta themi, ishte pikërisht kjo rezolutë. Nënkuptohet që kjo nuk është në interes apo për ta shëndoshur në interes të punës, por është thjeshtë një retorikë politike për arsye të tjera”, tha Xhafaj.

Fjalët e Fatmir Xhafes tingëlluan si kritika ndaj qasjes së mazhorancës që ka kritikuar SPAK për orientim të rrjetës vetëm mes socialistëve. Kundër drejtuesit të reformës në drejtësi doli vetë numri dy i PS.

“E mira do të ishte se mbasi ai vetë do t’i sillte me shkrim, do të ishte normale se më shumë janë semantika, mënyra të interpretimit të fjalive”, u shpreh Gjiknuri.

Shenjat se debati nuk duhet të ndodhte e dha Pandeli Majko i cili e goditi me bërryl Gjiknurin, por sinjali nuk duket se nuk u mor në kohë.

“Unë mendimet e mia i them kurdo, por e rëndësishme është se asnjëri nuk duhet të niset nga vështirësitë e zbatimit. Ne kemi zgjedhur një model, i cili ka vështirësi”, vijoi Gjiknuri.

“Për një gjë dua të bëj një debat, se meqenëse e përsëritët dy herë, se ndoshta keni një kuptim të gabuar për këtë çështje. Institucionet e drejtësisë janë në kushtetutë dhe janë miratuar me 140 vota me duartrokitje”, shtoi Xhafaj.

Përplasja ndërmjet tyre ndodhi në sytë e demokratëve, të cilët kërkuan shtyrjen e rezolutës për 24 orë, pasi në Komisionin e Ligjeve do të vinin sërish zyrtarët e KLGJ-së në seancë dëgjimore për hartë e re gjyqësore.

“Kjo është një betejë supremacish individuale. Janë çështje të konflikteve të brendshme të PS-së që na i sillni në Komisionin e Ligjeve”, tha Çupi.

“Konfliktet e brendshme apo të jashtme, shifni hallin tuaj tek partia juaj. Ne me njëri tjetrin e kemi të qartë, që edhe kur kemi mendime të kundërta e respektojmë njëri tjetrin nuk e ndajmë partinë në dysh!”, tha Bushka.

Sugjerimet e socialistit Fatmir Xhafaj nuk mund të neglizhoheshin nga kryetarja e Komisionit e cila i reflektoi në dokumentin final I cili u miratua me votat e PS-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos