Yuri Kim: Prioritet Reforma në Drejtësi dhe kriza politike

Nga A2 CNN
29 Tetor 2019, 20:31 | Politikë
Yuri Kim: Prioritet Reforma në Drejtësi dhe kriza politike

Zgjidhja e ngërçit politik dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi duket se do të jenë në fokus të ambasadores së zgjedhur të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.

Në seancën e konfirmimit në Komisionin për Punët e Jashtme në Senatin amerikan, e emëruara e Presidentit Donald Trump premtoi të nxiste udhëheqësit drejt zhbllokimit të ngërçit, me qëllim përforcimin e perspektivës së hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht Reformën në Drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombetar. Shqipëria, tha zonja Kim në seancë, ka një emër jo të mirë për krimin e organizuar, për trafikimin e njerëzve, sidomos të grave si dhe të narkotikëve përmes kufijve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të senatorëve për ndikimin e mundshëm të Rusisë në rajon, ambasadorja e zgjedhur tha se fatmirësisht, përpjekjet e Rusisë në këtë aspekt nuk kanë patur shumë efekt: “Ka rëndësi që t’i ndihmojmë shqiptarët të forcojnë institucionet, në mënyrë që ata të jenë më rezistentë ndaj përpjekjeve të Rusisë si dhe depërtimit ekonomik të Kinës. Duam të punojmë me shqiptarët për të zhvilluar kapacitetet e tyre si aleatë të NATO-s”. 

Ajo tha se pak miq e kanë përqafuar Amerikën aq ngrohtësisht sa shqiptarët dhe se është e domosdoshme që t'i mbajnë pranë miq të tillë. Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos