
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në Konferencën “Drejtësi në Kohë Sfidash”, reagoi për herë të parë pas deklaratave të Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku kryeministri kërkoi nga SPAK-u që të hetonte Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Sipas saj, refoma në drejtësi do të quhet e suksesshme “kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij”.
“Do ta dimë që reforma në drejtësi ka qenë e suksesshme kur të mos quhet më normale të kesh gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në shkelje të detyrës. Prandaj kemi institucionet e vetingut dhe funksionin e vetingut. Do të quhet gjithashtu e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi”, tha Kim.
“Ajo që njerëzit duan nga reforma në drejtësi është drejtësi që është vërtet e verbër. Ky është kuptimi i asaj statujës (Statujës së Lirisë); që drejtësia, ligji është i verbër përpara pozitës apo pushtetit, që aplikohet barabar për cilindo dhe të gjithë, që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Do të thotë se kur njerëzit ndiqen penalisht, nuk ndiqen penalisht sepse janë jashtë pushtetit apo sepse janë të varfër apo se janë të pafuqishëm; por vetëm sepse kanë shkelur ligjin; që kur prokurorët dhe gjyqtarët ndërmarrin veprime, nuk e bëjnë sepse dikush i fuqishëm i ka kërcënuar apo urdhëruar, apo u ka dhënë para, por vetëm sepse e kërkon ligji”, shtoi ambasadorja. (A2 Televizion)