
Zbulohet pas një muaji bilanci real i sulmit raketor të Iranit në bazën ushtarake amerikane në Irak. Sipas zyrtarëve të Uashingtonit, 109 ushtarë po vuajnë nga dëmtime traumatike në tru. Pentagoni raportoi më herët se vetëm 64 anëtarë të forcave amerikane ishin dëmtuar nga sulmi raketor, që erdhi si kundërpërgjigje për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani.
Presidenti, Donald Trump shpeshherë ka pretenduar se nga aksioni i qeverisë së Teheranit nuk pati asnjë amerikan të lënduar. Madje e përdori këtë deklaratë duke thënë se nuk do t’i kundërpërgjigjej Iranit me të njëjtën mënyrë për shkak të mungesës së të prekurve.
Pentagoni sqaron në një deklaratë se rreth 70% e të lënduarve i janë rikthyer detyrës pas marrjes së trajtimit të nevojshëm. Megjithatë ligjvënës republikanë dhe demokratë kërkuan sqarime të mëtejshme lidhur me këtë bilanc. (A2 Televizion)