
Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta ka bërë mëngjesin e së enjtes një postim në rrjetet sociale ku kritikon planin e prezantuar së fundmi nga disa diplomatë për ta çuar çështjen e interpretimit të ngërçit të krijuar për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias.
Tedi Blushi sulmoi sërish diplomatët, pa përmendur emrin e tyre, se po zbatojnë porositë e Edi Ramës, me qëllim kapjen e reformës në drejtësi prej tij.
“Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”, shkruan Blushi.
Sipas zëdhënësit të Presidentit, Ilir Meta, ka mbaruar koha e sundimit të ambasadave dhe ka ardhur ajo e sundimit të ligjit. Ai shton se vetëm rruga e Kushtetutës e çon vendin drejt BE.
“Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë”, shton Tedi Blushi. (A2 Televizion)