
Presidenti Ilir Meta priti në takim kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi, me kërkesën e këtij të fundit.
Kryetari i KLP e informoi Kreun e Shtetit për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Meta e siguroi Ibrahimin për mbështetjen e pakursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur.
Në këtë drejtim, Presidenti premtoi se do të përmbushë çdo detyrim që do t’i kërkohet sa më parë të jetë e mundur në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës. (A2 Televizion)