
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një hero tashmë i rezistencës, ka bërë një thirrje drejtuar banorëve të të gjithë botës që të dalin në sheshet kryesore të vendeve të tyre dhe të protestojnë kundër invazionit rus.
“Lufta e Rusisë, nuk është vetëm kundër Ukrainës, synimi i saj është më i lartë”, u shpreh Zelensky duke iu kërkuar banorëve që të shprehin zërin e tyre në këto protesta.
Gjithashtu, më herët, Zelensky përsëriti kërkesën drejtuar vendeve mike që të dërgojnë më shumë armatime, duke e vënë theksin se Ukraina ka nevojë për avionë.
“Lufta blitz e Rusisë ka dështuar. Kievi do të mbrohet deri në fund, por na duhen avionë dhe mjete të tjera për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore. Putin nuk do të ndalet dhe ajo që po ndodh është një konflik që përfshin të gjithë Europën”, përfundon presidenti ukrainas.
Ndërkohë, mediat ukrainase raportojnë se gjatë orëve të mbrëmjes, forcat ruse kanë shkatërruar një urë shumë pranë Kievit.
Ura e shkatërruar ndodhej mbi lumin Desna dhe konsiderohej si shumë e rëndësishmë për futjen e ndihmave humanitare në kryeqytet, si dhe evakuimin e civilëve. (A2 Televizion)