
Me një “çantë plot me dollarë dhe armë”, u kthye në atdhe. Presidenti, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Ukrainë pas vizitës së suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, që ishte e para jashtë vendit në 300 ditët e fundit. Gjatë kohës që qëndroi në Poloni, nxori dhe një video-mesazh për orët që kaloi në Uashington, ku takoi presidentin amerikan, Joe Biden, dhe foli në Kongres.
“Po kthehemi me rezultatet të mirë, të cilat ndihmojnë realisht. Kur ne themi ‘Patriotët në Ukrainë dhe SHBA’, ne nënkuptojmë mbrojtje për shtetin dhe njerëzit. Kjo çështje është zgjidhur për Ukrainën. Kemi gjithashtu dhe ndihmë financiare. Fitorja do të jetë e jona. Lavdi për çdo luftëtar që kemi”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
Uashingtoni iu përgjigj thirrjes së Zelensky-t për më shumë mbështetje duke siguruar se Ukraina nuk do të jetë kurrë vetëm. Biden konfirmoi 2 miliardë dollarë ndihma, dhe dërgimin e sistemeve të avancuara te mbrojtjes ajrore Patriot. Lidhur me këtë zhvillim reagoi dhe vetë presidenti rus, Vladimir Putin, pasi shumë zyrtarë të qeverisë së tij vërshuan një sërë ofendimesh në drejtim të Zelensky-t.
“Për sa i përket Patriotëve, ky është një sistem mjaft i vjetër dhe nuk funksionon aq mirë sa S-300-at tanë. Ata që na kundërshtojnë mendojnë se kjo është thjeshtë një armë mbrojtëse, kështu thonë ata. Por kjo është në mendjen e tyre dhe ne gjithmonë do ta gjejmë kundërhelmin për të. Pra, ata që e bëjnë këtë thjesht po humbasin kohën e tyre, thjesht po e vonojnë konfliktin”, tha Putin.
Më tej, Putin shtoi se të gjithë konfliktet e armatosura përfundojnë gjithmonë me negociata diplomatike dhe akuzoi Ukrainën se e ka braktisur këtë rrugë. Gjithashtu nënvizoi se dëshiron fundin e luftës dhe se kërkon që kjo të ndodhë sa më parë. Ndërkohë, ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, zbriti vetë në linjën e parë të betejës duke vizituar ushtarët e tij që po luftojnë në Ukrainë. Ai inspektoi njësite, kushtet dhe mbarëvajtjen e operacioneve, ndërsa lokacioni i saktë nuk është bërë i ditur. (A2 Televizion)